Në zonën pranë kalasë së Skënderbeut në Ishëm, Durrës po zhvillohet një aksion pastrimi nga bashkia. Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aksion duke theksuar se “krahas punës sonë të përditshme për pastrimin e qytetit vijojmë pastrimin edhe në zonat pranë monumenteve të kulturës”. “Puna jonë për Durrësin e pastër vazhdon me intensitet sepse një qytet i pastër është një qytet më i mirë për të gjithë qytetarët durrsakë, por edhe turistët e shumtë që na vizitojnë”, tha Sako. Kalaja e Skënderbeut ndodhet në pjesën verilindore të Kepit të Rodonit, ose siç e quajnë vendasit, Kepi i Muzhit, dhe vështron veç thellësisë së detit Adriatik, edhe gjirin e Patokut dhe të Shëngjinit. Kjo kështjellë filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë bërë rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit është ndërtuar nga mjeshtra venecianë. Ai arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e kështjellës kishte kulla të rrumbullakëta. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit.
