Qeveria shqiptare është e fokusuar në transformimin e shërbimeve digjitale, duke nxitur një qeverisje më inteligjente dhe shërbime të orientuara drejt qytetarëve.
Në këtë kuadër, qeveria shqiptare po implementon një program të transformimit të shërbimeve publike në Shqipëri edhe me mbështetjen nga Banka Botërore. Programi në fokus ka transformimin edhe procesin e të mësuarit në sistemin arsimor në Shqipëri, duke kontribuar në përgatitjen e nxënësve për të ardhmen digjitale.
Banka Botërore bën të ditur se, “35,000 fëmijë të arsimit 9-vjeçar po përmirësojnë aftësitë e tyre në lexim, matematikë dhe po fitojnë shprehi digjitale përmes teknologjisë”.
Sipas BB, “216 SmartLabs në 200 shkolla të vendit po pajisin nxënësit me aftësi digjitale të përparuara, duke i përgatitur për të ardhmen. Investimi në SmartLabs, po i ndihmon nxënësit të rrisin aksesin në teknologji”.
Aurela Ramadani, mësuese e matematikës dhe TIK në shkollën 9-vjeçare “Vaçe Zela” në Tiranë, shprehet se, “teknologjia ka transformuar mënyrën se si mësojmë. Falë SmartLabs, nxënësit eksplorojnë dhe krijojnë nëpërmjet praktikës, duke u përgatitur për të ardhmen, në një botë gjithmonë e më digjitale”.