Veprimtaria u drejtua nga akad. Valter Memisha, prof. dr. Anila Omari dhe prof. dr. Anila Kananaj. Në fjalën e hapjes, akad. Valter Memisha theksoi disa çështje kryesore që lidhen me trajtimin e anglicizmave në fjalor, duke përfshirë huazimet e stabilizuara, çerdhet fjalëformuese, shkurtesat dhe huazimet e paasimiluara, si dhe nevojën për standardizim të mëtejshëm leksikografik të tyre. Ai u shpreh se, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” (FMGJSH) është një strukturë e hapur për pasurim dhe rishikim të vazhdueshëm.
Akad. Gëzim Hoxha theksoi sfidat që sjell ndikimi i anglishtes në shqipen bashkëkohore dhe nevojën për normëzim dhe përshtatje të huazimeve të reja.
Sipas tij, gjuha shqipe përballet me nevojën për përthithje, përshtatje dhe normëzim të huazimeve të reja, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e saj strukturor dhe kulturor.
Prof. dr. Anila Kananaj paraqiti fjalorthin me përzgjedhjen e 215 anglicizmave të rinj, duke nxjerrë në pah problematikat që ato paraqesin.
Akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj u shpreh se studimi i anglicizmave për t’u përfshirë në FMGJSH duhet bërë fjalë për fjalë dhe duhet marrë vendim për secilën fjalë, nëse duhet përfshirë apo përjashtuar. Gjithashtu, akad. Emil Lafe dhe prof. dr. Memushaj vunë theksin te kujdesi për përdorimin e anglicizmave, duke i pranuar vetëm në rastet kur shënojnë një koncept të ri dhe nuk kanë ekuivalent në shqip.





