-Çfarë parashikojnë ndryshimet ligjore:
Fëmijët e lindur në Shqipëri nga prindër të huaj mund të marrin shtetësi shqiptare, me kusht që prindërit të japin pëlqimin e tyre, kur mosha e tij është nën 18 vjeç. Ky ndryshim në Ligjin për Shtetësinë, vjen në kuadër të politikave të qeverisë për të afruar talente apo kualitete në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit.
Në relacionin bashkangjitur draftit ligjor të propozuar nga Ministria e Brendshme, sqarohet se një ndër kërkuesit kryesor të ndryshimeve ligjore është Federata Shqiptare e Futbollit. Qëllimi është ngritja e nivelit të lojës në skuadrat e futbollit në vend dhe në mënyrë të veçantë forcimi i imazhit të skuadrave kombëtare të futbollit në nivel europian e ndërkombëtar.
Sipas ndryshimeve, “Një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët janë rezident të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve”.
Më herët, ligji parashikonte se për fëmijët e lindur apo gjetur në territorin e Shqipërisë, të cilit prindërit nuk i njihen mund të marrin shtetësi shqiptare, por kjo mund t’i hiqej në rast se prindërit e fëmijës bëhen të njohur ligjërisht përpara se fëmija të ketë mbushur 14 vjeç dhe janë shtetas të huaj, por me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi si pasojë e këtij veprimi.
Me ndryshimet e reja të hedhura për konsultim nga qeveria parashikohet, se shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasit e huaj edhe pa mbushur moshën 18 vjeç, kur personi s’përbën kërcënim për rendin publik edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.
Ky ndryshim sipas FSHF rrit mundësinë e rekrutimit të talenteve të reja, pasi kushti për moshën 18 vjeç e sipër, kufizon mundësinë e Federatës për të afruar talente.