Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, nisin trajnimet e mësuesve

0
14

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e nisi këtë javë me një takim me mësues të klasave të para, me të cilët ndau për herë të parë Abetaren e re të përbashkët unike që do të përdoret në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. “Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor. Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e përbashkët unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi”, u shpreh Kushi në një postim në rrjetet sociale. Duke qenë se viti i ri shkollor 2022-2023 nis më parë në Kosovë më 1 shtator, e më pas në Shqipëri me 12 shtator, ministrja Kushi informon se në 1 shtator së bashku me homologen Nagavci do të prezantojnë abetaren unike për nxënësit e klasave të para. “Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Kushi. Në dhjetor të 2021 ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Arbërie Nagavci nënshkruan marrëveshjen për Abetaren e përbashkët.https://ata.gov.al/2022/08/29/abetarja-e-perbashket-shqiperi-kosove-nisin-trajnimet-e-mesuesve/