Maks Velo, artisti që vuajti në burgun e Spaçit

0
3

Maks Velo lindi në Paris në vitin 1935, por shumë shpejt familja u vendos në Korçë aty ku kaloi dhe fëmijërinë. Nisi studimet pranë Institutit Politeknik në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas kreu një specializim për arkitekturë. Ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në planin urbanistik të Tiranës të vitit 1960 dhe në projektimin e shumë godinave publike të ndërtuara gjatë asaj kohe, ku vihet re fryma modernizuese dhe ideologjikisht e ndryshme.

Krahas arkitekturës, Maks Velo njihet për pasionin ndaj pikturës. Për shkak të rrymës artistike impresioniste dhe surrealiste që pasqyronte në punimet e tij, e cila binte ndesh me artin e realizmit socialist, do të fillonte ndaj tij përndjekja që u finalizua me arrestimin në vitin 1978. Gjyqi dhe dënimi prej 10 vjetësh nën akuzën e agjitacion-propagandës, dënim që do ta vuante në burgun famëkeq të Spaçit, do të përbënin për Maks Velon një dramë familjare mbi të gjitha. Shumë nga pikturat që iu gjetën në shtepi u shkatërruan me urdhër të gjykatës. U lirua nga burgu në vitin 1986 falë një amnistie.

Me ardhjen e demokracisë, Maks Velo iu rikthye pasionit të tij për pikturën, duke mbajtur shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, ai është autori i një sërë botimesh, ku ndër më të rëndësishmet janë: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Kostumi i martesës”, “Klubi Karavasta”.