Për periudhën maj-korrik nuk do të lejohet peshkimi në liqenin e Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës dhe Shkopetit. Urdhri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përfshin ndalimin e peshkimit me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe hedhjen në treg ose për konsum të të gjitha llojeve të peshqve, me qëllim mbrojtjen e riprodhimit të peshkut në këtë sezon. Urdhri ka hyrë në fuqi menjëherë dhe parashikon ndalimin e peshkimit dhe grumbullimin e riprodhuesve të krapit në Liqenin e Ohrit dhe katër liqenet e tjera. Gjithashtu për periudhën 20.7.2024 deri më 20.8.2024, Ministria e Bujqësisë urdhëron ndalimin e peshkimit edhe me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 miljesh nga bregu. Vendbazimi i varkave të peshkimit do të jetë në pikat e caktuara nga OMP Pogradec. Do të jetë Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), që do të koordinojë veprimtarinë organizative, teknike dhe financiare me Qendrën e Prodhimit të Rasateve të Koranit në fshatin Lin të Pogradecit, për gatishmërinë e marrjes së riprodhuesve të krapit. Sipas urdhrit, “veprimtaria e grumbullimit të riprodhuesve, do të organizohet dhe kryhet nën drejtimin e DSHPA-së në bashkëpunim me Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit (OMP) Pogradec, duke përcaktuara dhe aktivizuar për këtë qëllim jo më shumë se 20 peshkatarë me përvojë, anëtarë të kësaj OMP-je. Për zbatimin e këtij urdhri, të hartohet një plan i përbashkët operativ veprimi nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, në koordinim me OMP Pogradec. OMP Pogradec duhet të marrë të gjitha masat për zhvendosjen e objekteve, ku peshqit kanë lëshuar vezët në mënyrë natyrale, në rastet e rënies së nivelit të ujit në liqen”.
Sezoni i riprodhimit, MBZHR ndalon peshkimin në liqene nga maji deri në korrik
RELATED ARTICLES