Një pikturë e artistit austriak, Gustav Klimt që besohej e humbur për 100 vitet e fundit, do të dalë në ankand në Vjenë, sipas BBC. Ka shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me pikturën e papërfunduar, “Portreti i Fraulein Lieser”, të cilin Klimt e filloi në 1917 – një vit para vdekjes së tij. Gjithashtu janë ngritur shumë diskutime se kush mund të jetë gruaja në pikturë dhe çfarë ka ndodhur me veprën gjatë epokës naziste. Piktura vlerësohet deri në 50 milionë euro, megjithëse mund të ketë një çmim edhe më të lartë. Vepra mendohet se përshkruan një nga vajzat e Adolf ose Justus Lieser, të cilët ishin vëllezër nga një familje e pasur industrialistësh hebrenj. Historianët e artit, Thomas Natter dhe Alfred Weidinger thanë se piktura është e Margarethe Constance Lieser, vajzës së Adolf Lieser. Por, shtëpia e ankandit “im Kinsky” në Vjenë, e cila po nxjerr në ankand veprën e artit, sugjeron se piktura mund të përshkruaj gjithashtu një nga dy vajzat e Justus Lieser dhe bashkëshortes së tij Henriette. Henriette, e cila njihej si Lilly, ishte një mbrojtëse e artit modern. Ajo u deportua nga nazistët dhe vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit gjatë Holokaustit. Vajzat e saj, Helena dhe Annie, të dyja i mbijetuan Luftës së Dytë Botërore. Shtëpia e ankandeve tha në një deklaratë se, fati i saktë i pikturës pas vitit 1925 ishte “i paqartë”. Ajo që dihet është se ajo është blerë nga një paraardhës ligjor i dërguesit në vitet 1960 dhe i ka shkuar pronarit aktual përmes tre trashëgimive të njëpasnjëshme. Identiteti i pronarëve aktualë austriakë nuk është bërë publik. Piktura po shitet në emër të këtyre pronarëve dhe pasardhësve ligjorë të Adolf dhe Henriette Lieser, bazuar në Parimet e Uashingtonit – një marrëveshje ndërkombëtare për kthimin e veprave të artit të grabitura nga nazistët tek pasardhësit e njerëzve nga të cilët ato janë marrë. Arti i Klimt është shitur shumë shtrenjtë në ankand në të kaluarën. Vepra e tij “Lady with a Fan” u shit për 99,26 milionë euro në ankandin “Sotheby’s” në qershor 2023, duke e bërë atë veprën më të vlefshme të artit të shitur ndonjëherë në Evropë.
Piktura “e humbur” e Gustav Klimt del në ankand
RELATED ARTICLES