Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAOsmani: Draftstatuti i Asociacionit do të dërgohet në Kushtetuese

Osmani: Draftstatuti i Asociacionit do të dërgohet në Kushtetuese

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën, dhe Serbinë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Nju-Jorku, ku presidentja Osmani u përball dje me presidentin e Serbisë në takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

Zëri i Amerikës: Presidente Osmani, zyrtarë të lartë amerikanë – Ndihmëssekretari i Shtetit O’Brien para dy ditësh në Beograd dhe përfaqësuesi amerikan sot në OKB, kërkuan nga Kosova krijimin e Asociacionit. Si do t’i përgjigjeni kësaj thirrjeje?

Vjosa Osmani: Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes.

Në këtë kontekst, marrëveshja nuk ka vetëm nenin e Asociacionit; ka edhe nenet e tjera, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga Serbia që të njohë sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, që mos të përdorë dhunën si mjet, apo forcën si mjet për raporte ndërshtetërore dhe kërkon në Nenin 4 që të mos krijojë pengesa, apo mos të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Pra, e vetmja që Kosova po kërkon është që marrëveshja të zbatohet në tërësi e jo vetëm nga njëra palë të kërkohet zbatim i plotë, kurse nga ana tjetër mos të kërkohet zbatimi i asnjërës prej dispozitave. Natyrisht ne e dimë që ky është detyrim ndërkombëtar i Kosovës, por janë disa parime të cilat i kemi parasysh dhe i kemi si vija të kuqe në zbatimin e Asociacionit. Ndër to është Kushtetuta e Kosovës, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015, është fakti që nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, ashtu siç është shkruar edhe në letrën e [ish-Përfaqësueses për Politikë të Jashtme dhe Siguri] Mogherinit në atë kohë dhe po ashtu të jetë në përputhje me qëndrimin amerikan të publikuar në ‘op-edin’ Cholet/Escobar.

Pra Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta. Thjesht po kërkojmë që marrëveshja të jetë marrëveshje dhe të krijojë detyrime për të dyja palët, se përndryshe e humbet kuptimin edhe marrëveshja edhe dialogu.

Zëri i Amerikës: Po meqë partnerët ndërkombëtarë të vendit tuaj po kërkojnë nga Kosova zbatimin e Asociacionit, a ka Kosova një plan për hapat e ardhshëm?

Vjosa Osmani: Plani natyrisht është i qartë. Duhet të përfundojë marrëveshja e sekuencimit, që përcakton cili hap i zbatimit duhet i pari, cili i dyti dhe kështu me radhë. Sapo të përfundojë plani i sekuencimit, natyrisht që Kosova, ashtu siç parashihet edhe në vet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, duhet të dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë nëse drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments