Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionit të 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia 2024. Me këtë rast ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e uron Kastratin, duke u shprehur krenar për vlerësimin e veçantë për Kosovën në La Biennale di Venezia 2024! “Bravo Doruntina Kastrati, komisioneres Hana Halilaj, kuratores Erëmirë Krasniqi, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit! 1 komb, 1 gjuhë, 1 identitet shqiptarie, djep kulture e qytetërimi në Ballkan!”, shprehet Gonxhja në rrjetet sociale.
Projekti artistik “Heshtjet kumbues të metalit dhe lëkurës” ka për fokus gratë në ekonominë e periudhës së tranzicionit. Trajton punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës dhe pasojat e tyre në një fabrikë llokumesh në Prizren. Kuratorja Erëmirë Krasniqi paraqet në instalacion katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë, të cilat reflektojnë operimet që u janë nënshtruar këto gra për shkak të orareve të gjata të punës në këmbë.
Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker. Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është kuruar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024.