Franca deklaroi se nuk do ta ftojë presidentin rus, Vladimir Putin për të përkujtuar 80-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, në fillim të qershorit. Megjithatë, Rusia do të ftohet të dërgojë një përfaqësues.
”Federata Ruse ka zhvilluar një agresion kundër Ukrainës për më shumë se dy vjet, të cilën Franca e dënon me termat më të ashpër”, njoftuan organizatorët shtetërorë të përkujtimit të ditës së njohur si D-Day. ”Duke pasur parasysh këto rrethana, presidenti Putin nuk do të ftohet të marrë pjesë në përkujtimet e zbarkimit në Normandi.
Megjithatë, Rusia do të ftohet të përfaqësohet për të nderuar rëndësinë e angazhimit dhe sakrificave të popullit sovjetik dhe kontributin e tyre në fitoren e vitit 1945”, theksojnë ata. Ceremonia ndërkombëtare përkujtimore me liderë nga e gjithë bota do të zhvillohet më 6 qershor në bregun e Normandisë. Putin mori pjesë në ceremonitë në Francën veriore 10 vjet më parë dhe u takua, ndër të tjera, me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Barack Obama.
Operacioni masiv ushtarak, 80 vjet më parë, ishte preludi i çlirimit të Francës dhe Evropës Perëndimore nga sundimi nazist. Përafërsisht 4 100 mjete ulëse me më shumë se 150 000 trupa u nisën për në Francën veriore nga Portsmouth në Britaninë e Madhe. Forcat aleate përbëheshin kryesisht nga trupa nga SHBA, BM, Kanadaja, Polonia dhe Franca.