Rezervat valutore të Ukrainës kanë arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave falë dërgesave të huaja, tha sot banka qendrore e vendit në Kiev, ndërsa vendi po lufton kundër një pushtimi rus në shkallë të plotë për të tretin vit. “Duke arritur një ekuivalent prej 40,3 miliardë euro (43,4 miliardë dollarë) më 1 prill, ky është niveli më i lartë i rezervave valutore që kur Ukraina fitoi pavarësinë në 1991”, sipas bankës.
Rezervat valutore janë fonde që një bankë qendrore zakonisht i mban në valuta të huaja, të cilat përdoren kryesisht për të stabilizuar monedhën e vet të vendit ose për të financuar importet. Shkaku i nivelit të ri ishin transfertat nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe disa vende individuale me një total prej gati 8,6 miliardë eurosh. “Rezervat u rritën me 18% në mars, pavarësisht pagesave të borxhit”, tha banka qendrore. Sipas autoriteteve monetare të Ukrainës, rezervat tani mbulojnë importet për më shumë se pesë muaj.
Niveli minimal për stabilitet financiar konsiderohet të jetë mbulimi tre mujor. Rezistenca e Ukrainës ndaj sulmit rus që nga shkurti 2024 është financuar kryesisht nga Perëndimi. Pavarësisht rritjes ekonomike në vitin e kaluar, produkti i brendshëm bruto është ende rreth një çerek nën nivelin e paraluftës. Ashtu si në dy vitet e para të luftës, më shumë se gjysma e buxhetit të shtetit ukrainas tani varet nga ndihma financiare e huaj.