Friday, November 22, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREKin Dushi, një nga prozatorët e parë, i persekutuar nga regjimi

Kin Dushi, një nga prozatorët e parë, i persekutuar nga regjimi

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot një nga prozatorët e parë shqiptarë, Kin Dushi (27 maj 1922-6 prill 1994). Kin Dushi lindi në Shkodër në fshatin Shirokë më 27 maj 1922. Studimet i kreu në shkollën e mesme “Normale” të Elbasanit dhe më pas mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtueseve fashistë. Në vitin 1942-1943 arrestohet nga pushtuesit dhe dërgohet në kampin e Prishtinës. Ditët e përjetuara në kampin e Prishtinës i shkruante në një ditar të cilin e botoi në vitin 1951.

Ky ditar konsiderohet si romani i parë i pasluftës, por historiografia komuniste nuk e cilësoi asnjëherë në studimet për letërsinë. Në vitet 1949-1952, Kin Dushi niset për studime në Bashkimin Sovjetik për Letërsi. Pas kthimit, ai nis të punojë si gazetar tek gazeta “Zëri i Popullit” për zonën e Myzeqesë, nga ku u frymëzua për të shkruar romane të tjera. Në vitin 1955 shkroi “Udha e Velanit” dhe në vitin 1961 “Kronikë e vendit tim”. Është i pari shkrimtar që fitoi çmimin e Republikës në Shqipëri, me romanin “Udha e Velanit”, dhe në vitet 1955-1956 u bë anëtar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve”. Dy vite më vonë shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 5”.

Kjo komedi shihet nga kritika si një pasqyrë e hollësishme e shoqërisë shqiptare të viteve të komunizmit. Jeta e Kin Dushit do të ndryshojë përgjithmonë pas botimit të romanit “Një emër mes yjeve”. Romani u botua në vitin 1964 dhe u kritikua për “deheroizëm” dhe spontanitet e konceptim anarkik të Luftës Nacionalçlirimtare në plenumin e 15-të të Komitetit Qendror të Partisë. Më 3 tetor 1967, Kim Dushi arrestohet dhe dënohet me 8 vite burg politik si “armik i popullit”.

Të gjitha shkrimet e tij deri në atë kohë u hoqën nga qarkullimi. Në vitin 1975 u lirua nga Burgu i Burrelit dhe punoi si punëtor ndërtimi në Ndërmarrjen “21 Dhjetori” në Tiranë, derisa mbushi moshën e pensionit. Nuk mundi të përfundonte asnjëherë romanin e mbetur në dorëshkrim “Njeriu me proteza”. Më 6 prill të vitit 1994, Kin Dushi, pasi kishte humbur krejtësisht shikimin, u nda nga jeta.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments