Piktori i shquar, modernist e antikonformist, ish-i burgosuri politik nga diktatura komuniste, pedagogu Ali Oseku ndërroi dje jetë në moshën 80- vjeçare.
Autoriteti i Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit solli sot përmbledhje të dokumenteve të gjetura për të në dosjet e ish-Sigurimit.
Në materialin e përmbledhur nga Migena Demirxhi theksohet se Ali Oseku nuk u përshtat me metodat krijuese të Realizmit Socialist dhe në vitet ’70, cilësohej se eksperimentonte një art të ndryshëm nga ai.
Sipas të dhënave të gjetura edhe në dokumentet e Arkivës së AIDSSH-së, ai është një nga artistët e dënuar me burg në vitin 1975.
“Triumfi i dritave” ishte piktura qe u përdor si provë materiale në gjyqin e tij, ku fatkeqësisht policia sekrete përdorën si dëshmitar krijues të kohës, të cilët analizuan veprën e tij.
Dokumente që gjenden në arkivën e AIDSSH-së për piktorin, Ali Oseku, ndodhen në Fondin 1, Dosja Hetimore- Gjyqësore, Dosje me nr.10616, prej 15 faqesh ku është depozituar vendimi gjyqësor që mban datën 15.8.1975, i cili e dënon atë me 4 vjet burg.
Po në arkivën e AIDSSH-së gjejmë dokumente nga Dega IV, Fondi rezerve, Dosje pa numër për shtetasin Ali Oseku, prej 9 faqesh që mban disa dëshmi të rrethit të kolegëve të tij të cilat kryqëzohen me mendimet e ish-Ministrit të Kulturës dhe Artit, Fadil Paçramit, i cili sipas dëshmitarëve e vlerësonte lart artin e Ali Osekut.
Po në arkivën e AIDSSH, për Ali Osekun, gjenden edhe disa fletë nga Dosja, Problemi centralizuar- KUBISTET, me nr. 1079,(457 fletë, çelur në 4.10. 1973), në të cilën fillon survejimi dhe përndjekja e “ lidhjeve të elementëve anti- parti Fadil Paçrami e Todi Lubonja me : Skënder, Enver Paçrami, Fatos e Zana Lubonja, Llazar Lubonja, Afërdita Guri (Paçrami) Azmi Hoxha, Maksin Velo, Kudret Velça, Bujar Kapexhiu e Robert Shvarc si edhe një sërë lidhjesh të tjera që aktualisht janë në studim. Për të gjitha këto përpunime dhe lidhje të tyre u përpiluar planet e masave agjenturalo-operative të përbashkëta me qëllim zbulimin, në kohë të veprimtarinë e tyre armiqësore në drejtim të vijës politike të Partisë dhe masave të nxjerra nga Plenumit i IV-të Komitet Qendror” .
Rrugës gjatë zhvillimit u fut në ndjekje edhe piktori Ali Oseku, vepra e të cilët u konsiderua kubiste
Zhvillimet historike ku u ndërmorën masat për burgosjen e Ali Osekut dhe artistëve të tjerë ndodhen kur ngjarjet artistike që kritikuan në Plenumin IV të PPSH, ku fjalimin kryesor e mbajti Enver Hoxha, më 15 dhe 16 mars të vitit 1973 .
Ali Oseku u arrestua në datën 18.4.1975 me akuzën se ka zhvilluar “agjitacion dhe propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor duke kryer krimin e parashikuara nga neni 73/1 K.P.”
Në një analizë biografike të gjatë të krijuar për Ali Osekun lexon se: “Ali Oseku është bërë bartës dhe interpret i diversionit ideologjik imperialisto- revizionist në fushën e artit, të mënyrën të jetesës dhe të estetikës në veshje. “
Sipas analizës ai “përdor literaturën borgjeze që reklamonte të gjitha rrymat e ndikimet dekadente në art duke krijuar një veneracion të jashtëzakonshme për përfaqësuesit më të përmendur të modernizmit në pikturë dhe duke i propaganduar haptazi forcën artistike, koloritin dhe forcën e veprave të autorëve perëndimor.” Kështu Sigurimi merr në analizë vepra të realizuar prej tij, në 1971-1972, kur punonte ai skenograf pranë Teatrit të Operas dhe Baletit si dhe raporton mendimet, në të cilat “idealizonte lirinë që borgjezia ia njeh individit për t’u veshur sipas gustos dhe shijeve personale, për të pikturuar ashtu siç e ndjen vetë artisti dhe jo sipas parimeve të realizmit socialist që e kufizon dhe e ndrydh artistin, shkollë kjo, që sipas tij është vjetruar, që nuk e justifikoj koha dhe që do t’ia lërë vendin modernizmit.”
Në analizë thuhet se: “Pikëpamjet e tij ai i ka shprehur në veprat e tij, në dekoret dhe kostumet përgatitura prej tij për operat “Traviata”, “Cuca e Maleve”, për dramën “Orfeu zbret në ferr”, në tablonë “Triumfi i dritave”, në portrete e skica të ndryshme ku ai ka gërshetuar realizmin socialist, nga njëra anë, na rryma të ndryshme dekadente, nga ana tjetër, siç janë simbolizmi, realizmi, obstruksionizmi manjerismi. “
“Triumfi i dritave” është edhe tabloja që është paraqitur në gjyq si provë materiale, për të “provuar dekadencën” e artistit. Në gjyq Ali Oseku u akuza se është bërë “ekzekutor i ideve armiqësore të grupit të Fadil Paçranit, Todi Lubonjës, Mihallaq Luarasit e të tjerëve.”
Disa dëshmi të përdorura në gjyq thonë se :”Fadili mori në mbrojtje krijimtarinë dekadente të Ali Osekut” në rastin e tablosë “Elektrifikimi” një tabllo tipike formaliste ku tema shartohej në mënyrë më bajate me teknikën e pikturimit të kubizmit, një nga rrymat me reaksionare të artit të sotëm dekadent, perëndimor.”
Në gjyq u përdor edhe një relacionin i Teatrit Popullor ku thuhet. “…. Shfaqje të huaja pati në skemat dhe kostumet sidomos të shfaqjet “Viti 1961” dhe “Orfeu zbret në ferr”. Këto shfaqje u cilësuan “ekstravagante, me lojë snobiste në format gjeometrike, ngarkesa dhe pjerrësia e podiumeve, efekte të huaja me lojën e dritave etj. si kopje të shëmtuara të festivalit si ai i San Remos”
Ali Oseku është një emër i rëndësishëm i asaj kohe, “armik i popullit” po aq sa Velo, Gjergo, Pervizi, Jani, Tushi, Tuçi, Puka, Paço, Tasi, Shima, Hila, Basha e artistëve të tjerë që vuajtën në kurriz të jetës dhe veprës së tyre, talentin dhe lirinë e tyre artistike. Pas daljes nga burgu (1979), punoi si punëtor krahu pa të drejtë të ekspozimit deri në vitin ’91, kur iu kthye krijimtarisë duke qenë kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe më pas pedagog e shef katedre në Akademinë e Arteve të Bukura. Nga viti 1998 deri në vitin 2014, u bë Profesor i Asociuar dhe Përgjegjës i Departamentit të Grafikës në “Akademia e Arteve të Bukura”, Tiranë. Në vitin 2014 e në vazhdim, piktor në krijimtarinë e lirë. Ekspozita e tij e fundit, ne 2023 titullohej: “E gjithë drita që nuk mund të shohim”.