“Para Perëndimit” titullohet drama e fuqishme e nobelistit gjerman Gerhart Hauptmann, e cila do të vijë së shpejti në Teatrin e Metropolit. Një kast i madh aktorësh po përgatiten për të sjellë këtë vepër, e cila do ta mbajë të mbërthyer spektatorin për 145 minuta.
“Para Perëndimit” konsiderohet si një kryevepër e dramaturgjisë botërore. Një katastrofë familjare në sfondin e një bote të trazuar, drama e nobelistit Gerhart Hauptmann, na jep një mundësi për të shqyrtuar vendin e individit në botën bashkëkohore. A janë zgjedhjet e tij të lira apo të kontrolluara? Kjo është pyetja para së cilës do të vendoset publiku.
“Para Perëndimit” përqendrohet në dramën e “mungesës së lirisë” me të cilën përballet 70-vjeçari Matthais Clausen. 3 vite pas vdekjes së gruas së tij, ai bie në dashuri me një vajzë të re, Inken, por që pengohet nga të gjitha anët prej atyre që e rrethojnë, mbi të gjitha nga familja e tij që e sheh këtë histori dashurie si kërcënim të trashëgimisë financiare dhe shpirtërore të familjes.
Vepra, e përkthyer nga Edvin Cami, do të vijë përmes regjisë së Xhunga Çobanit, skenografisë së Genc Shkodranit, kostumografisë së Edlira Qyshkës e muzikës të kompozuar nga Endri Sina. Në role interpretojnë: Alfred Trebicka, Ilirda Bejleri, Elia Zaharia,Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Alex Seitaj, Luli Bitri, Alert Çeloaliaj, Pjerin Vlashi, Vasjan Lami, Klesta Shero, Roerd Toçe, Ligoraq Riza, Genc Fuga, Elona Hyseni, Kastriot Ramollari, Artur Vera, Laura Hoxha, Megi Duka, Maringlen Domi, Xhoni Spahi, Adela Gjyla.