Një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA përjetoi simptoma të ngjashme me ato të të ashtuquajturës Sindroma e Havanës (ajo që njihet si Sindroma e Havanës zakonisht përfshin simptoma të tilla si dëgjimi i tingujve të caktuar pa ndonjë zhurmë nga jashtë, të përziera, marramendje dhe dhimbje koke, humbje të kujtesës dhe probleme të ekuilibrit – shën. i përkth.) në samitin e NATO-s, në Vilnius vitin e kaluar, tha Departamenti amerikan i Mbrojtjes i SHBA (DOD).
“Unë mund të konfirmoj se një zyrtar i lartë i DOD-it përjetoi simptoma të ngjashme me ato të raportuara në incidente anormale shëndetësore”, u tha gazetarëve në Uashington zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh kur u pyet për një raport lajmesh në lidhje me rastin. “Ky person ishte atje në – në samitin e NATO-s në Vilnius – jo pjesë e delegacionit të sekretarit që ishte gjithashtu atje gjatë asaj kohe”, shtoi ajo. Në fund të vitit 2016, një numër punonjësish në ambasadën amerikane në Havana dhe familjet e tyre filluan të ankoheshin për simptoma, duke përfshirë dhimbje koke, humbje dëgjimi, marramendje dhe të përziera. Simptomat janë bërë të njohura si sindroma e Havanës ose incidente anormale shëndetësore (AHI).
Ankesa të ngjashme janë raportuar edhe gjetkë në botë. Të prekurit kanë deklaruar se simptomat u shfaqën pasi dëgjuan një zhurmë të çuditshme ose ndjenin presion të fortë në kokë. Qeveria amerikane fillimisht nuk përjashtoi mundësinë që simptomat mund të kishin qenë një lloj sulmi. Pak më shumë se një vit më parë, një raport zyrtar citoi pesë nga shtatë agjencitë sekrete amerikane që thoshin se ishte “shumë e pamundur” që një “kundërshtar i huaj” të ishte përgjegjës për rastet, pas shqyrtimit të më shumë se 1 500 “incidenteve anormale shëndetësore”.
”Në vend të kësaj, ankesat e raportuara ishin ndoshta rezultat i kushteve paraekzistuese, sëmundjeve të tjera ose faktorëve mjedisorë”, tha raporti joksekret. Dje, gazetarët e revistës gjermane ”Der Spiegel”, së bashku me kolegët nga transmetuesi amerikan ”CBS 60 Minutes” dhe revista ”The Insider”, publikuan një raport duke cituar një hetues ushtarak amerikan të thoshte se shërbimi sekret rus mund të qëndronte pas Sindromës së Havanës. ”Der Spiegel” citon gjithashtu një person të prekur, i cili pretendon se rastet e para të sindromës u shfaqën që në vitin 2014 në konsullatën amerikane në Frankfurt. CBS gjithashtu përmendi rastin në Vilnius në raportin e saj.