Muzeu i Artit Mesjetar publikoi në rrjetet sociale një prej objekteve që ruhen në mjediset e tij, “Dyert e bukura”. Ky publikim përkon me të kremten e Ungjillëzimit të Shën Marisë. “Dyert e bukura” vijnë nga kisha në shpellën heremite të Bllashjtonjës, në Prespë e cila daton nga shekulli i IX dhe u kthye në kishë dedikuar Virgjëreshës Mari në shekullin e XIV. Në dy panelet paraqitet skena e Ungjillëzimit. Kompozimi është i pazakontë dhe të dy figurat janë statike. Sfondi është pikturuar thjesht në okër dhe të kuqe. Aureolat janë në argjend i cili është mjaft i dëmtuar.
Virgjëresha ka veshur mafor në ngjyrë purpuri të thellë dhe një rrobë në ngjyrë blu. Ajo sapo është ngritur prej fronit ku po thurrte dhe mban në dorën e majtë boshtin, simbol i punës. E habitur ajo mirëpret misterin e mishërimit. Gabrieli paraqitet statik me krahët e hapur me dorën e djathtë drejtuar Marisë me shenjën e bekimit. Ai ka veshje perandorake në ngjyrë të kuqe dhe në dorën e majtë mban shkopin e lajmëtarit. Një rreze e stilizuar zbret nga lart mbi Virgjëreshën dhe brenda saj shihet pëllumbi i bardhë simbol ky i Shpirtit të Shenjtë. Argjendi i përdorur në vend të arit është i zakontë në punët e shkollës së Maqedonisë perëndimore në kohën e paleologëve.