Kostumet popullore shqiptare janë sa të larmishme aq edhe të mrekullueshme në detaje dhe ngjyra. Kur flasim për kostumografinë, kurora e së bukurës nuk mund të jetë e plotë pa përmendur “Pirpirinë” në veshjen e nuses gjirokastrite. Pirpiria ështe veshje e shtresës me të lartë aristokrate të qytetit të Gjirokastrës e cila plotësohej me 17 elemente, një ndër to është dhe “pirpiria” që është dhe elementi më i rëndësishëm e kësaj veshjeje.
Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Gjirokastër solli detaje nga kjo veshje dhe puna e realizuar për ruajtjen dhe trashëgimin e saj. Arbëror Lizeta e ka rindërtuar Pirpirinë bazuar në pirpirinë e shekullit të XVII. Për të ndërtuar këtë pirpiri janë dashur 3 vite pune dhe është punuar e gjitha me dorë dhe gjithçka në mënyrë artizanale duke filluar nga prerja, dizajni, qëndisja me fije ari dhe materiali i përdorur për punimin e saj.
Teknikat dhe modeli janë ruajtur me fanatizëm mbi modelin e vjetër që ndodhet në fotografinë e vjetër që ka Liljana Ristani (aktorja e mirënjohur gjirokastrite) të cilën e ka bërë në ditën e përurimit të pikës kufitare të Kakavijës në vitin 1984. Bazuar mbi këtë foto është rindërtuar e gjithë pirpiria që ne kemi sot me konsulencën e Stavri Catit i cili e ka vlerësuar të gjithë punën e bërë me vlerësim maksimal. Kështu Gjirokastra ka tani pirpirinë e saj të risjellë në 19 prill 2023 nga Arbëror Lizeta, e cila është pjesë e minimuzeut të ndërtuar nga kjo e fundit në Qafën e Pazarit me një numër të madh kostumesh të zonës së jugut të cilat janë të vizitueshme çdo ditë nga turistët vendas dhe të huaj.