Në bregun e liqenit të Ohrit, në manastirin e lashtë të Shën Naumit, gjeta një mik të ri për të pirë, murgun Dongo, murgun, shkruan Stanley Stewart për ”Financial Times”.
”Unë isha duke udhëtuar në Shqipëri me Elvis Nanajn, shoferin tim, dhe kishim kaluar kufirin për në Maqedoninë e Veriut për të kaluar një pasdite atje, duke ndjekur vijën bregdetare në drejtim të lindjes për të vizituar manastirin.
Një rrugë e gjatë plepash të çonte mbi një urë drejt një oborri me kalldrëm, ku disa pallonj bërtisnin dhe frynin bishtin. Brendësia e manastirit në Shën Naum nuk ka ndryshuar për 1 000 vjet. Është i ngushtë, me dyer aq të ulëta sa duhej të përkulesha shumë, dhe një dysheme me gurë të mëdhenj të pabarabartë të lëmuar nga një mijëvjeçar i tërë.
Afresket e shenjtorëve dhe profetëve vërshonin mbi mure dhe ikonat prej bakri shkëlqenin në dritën e qirinjve dhe llambave të vajit. Kur shkrimtarja britanike, Rebecca West e vizitoi në vitin 1937, ajo zbuloi se manastiri vepronte si një strehë edhe për të çmendurit; një murg po u këndonte një arie nga ”Madam Butterfly” dy njerëzve të dëshpëruar për t’i shëruar.
Dongo u ul pak jashtë hyrjes në një kioskë të vogël që shiste kartolina dhe qirinj. Ai dukej si Moisiu në vitet e shkretëtirës, tullac, i shëndoshë, me mjekër të gjatë dhe me një shkëlqim mesianik në sytë e tij. Ne biseduam gjatë. Ai më dha dhurata nga kioska e tij – një unazë çelësash, një medaljon me një ikonë brenda dhe një kartolinë bardhë e zi të manastirit.
Pastaj më shkeli syrin dhe solli një shishe me “rakinë mrekulli” të manastirit. “Është 21 gradëshe”, pëshpëriti ai. “Por, gjithçka është bio, kështu që nuk ka problem”, shtoi ai. Ai mbushi dy gota dhe ngritëm dolli për njëri-tjetrin.
Raki kishte shije pishe dhe kumbulle. Dongo mbushi edhe dy gota të tjera. E pyeta sa kohë kishte qenë këtu, në manastir. ”Shumë gjatë”, qeshi ai. Ai kishte dalë nga kioska e tij e vogël për t’u ulur me mua në një stol prej guri. Na mbushi gotat. E pyeta sa murgj kishte. “Një”, tha ai duke goditur kofshën e tij. “Për gjithçka – kartolina, liturgji, këngë, qirinj, kopsht, pallua, gjithçka”. Na mbushi sërish gotat.
Kalova 10 ditë në Shqipëri, duke bërë turne me Elvisin, duke bredhur nga vendstrehimet malore në lumturinë bregdetare, nga manastiret në kampet e safarit. Vendi është magjepsës dhe i bukur, dhe njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Vendet antike si Butrinti dhe Apolonia kanë disa nga rrënojat më të bukura klasike në Mesdhe. Në brendësi, malet shpalosen në distanca të gjata, me qytetet e lashta osmane që komandonin luginat e tyre. Rrugët janë të mira po ashtu dhe restorantet. Por, udhëtimi këtu ishte si nëpër dekada. Nganjëherë Shqipëria ndihej si Europa e stërgjyshërve tanë – karroca me kuaj, barinj që kullosin tufat, burra që korrin grurin me dorë dhe thithin bykun.
Gjatë viteve 1950-1960, kur Shqipëria ishte lloji i shtetit komunist të izoluar që do ta bënte Korenë e Veriut të dukej përkëdhelëse, një dritare në botën e jashtme erdhi nga filmat e Norman Wisdomit, humoristit anglez, të vetmit filma të huaj që kaluan censurën e rreptë. Ndoshta popullariteti i tij është i kuptueshëm, pasi e tillë ishte bota e Wisdomit, e absurditeteve të çmendura dhe të pakuptimta.
Në vitin 1995, pas rënies së komunizmit, Wisdom u bë njeri i lirë i Tiranës, sepse i bëri shqiptarët të qeshin në një epokë kaq të errët tiranie.
Tirana është një qytet më simpatik se sa thonë njerëzit për të. Ka kafene me tarraca në natyrë, një sallë të bukur koncertesh, një muze të madh arkeologjik dhe disa muze modernë tërheqës që katalogojnë idiotizmin dhe tmerret e periudhës komuniste. Por, isha i lumtur që dola nga qyteti në peizazhe të gjera rurale. Isha nisur drejt liqenit të Ohrit në kërkim të ilirëve. Nuk është dëgjuar shumë për Ilirinë, një qytetërim pararomak në Ballkan, në dy mijëvjeçarët e fundit, dhe kuptimi ynë për ta është disi e mjegullt. Thuhej se kishte varre në Selcë në kodrat mbi liqen.
Në fund të një rruge të bardhë, afër fshatit Selcë e Poshtme, një grua e moshuar me dy pula nën krahë na drejtoi në një si fushë. Eca nëpër lule të egra drejt një shkëmbi të ulët, ku gjeta fasadat klasike të gdhendura në shkëmbin e butë. Dukej një vend i mrekullueshëm për të vdekur, i zhytur këtu mes hardhive dhe ullinjve – një ndjenjë qetësuese e përjetësisë, një sfond majash malesh që lë të nënkuptojnë përjetësinë. U ula në shkallën e një prej varreve të vogla dhe shikoja fluturat. U dëgjua kënga e zogjve, zhurma e këmbanave të deshëve dhe zërat e largët të fëmijëve. Qentë lehnin në oborret e shtëpive.