Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen operacionale të BSH-së dhe përmbushjen e kërkesave rregullative. Këshilli Mbikëqyrës miratoi pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 Pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF). Këto pasqyra janë audituar nga Ernst & Young – Ekspertë Kontabël të Autorizuar, Dega në Shqipëri, dhe së bashku me raportin e audituesit të pavarur, janë pjesë e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023. Në mbyllje të vitit 2023, totali i aktiveve të Bankës së Shqipërisë është rreth 761 miliardë lekë.
Peshën kryesore në totalin e aktiveve e zënë investimet në tituj të borxhit me rreth 64% si dhe balancat me banka, pjesë e rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, me rreth 17%. Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi raportin gjashtëmujor për ecurinë e “Kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara”-MREL Ky është raporti i parë i hartuar për këtë qëllim që përmbledh zhvillimet kryesore të sektorit bankar në terma të përmbushjes së “Kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara” (MREL).
Këshilli konstatoi se zhvillimet e sektorit bankar për periudhën 2021-2023 reflektojnë kapacitet të kënaqshëm për përmbushjen e kërkesave rregullative, mbështetur në pozicionin e fortë të kapitalizimit, emetimin me sukses të titujve të borxhit në tregun e kapitalit në Shqipëri dhe nënshkrimin e titullit të parë financiar të MREL në Ballkan me institucionet ndërkombëtare financiare.