Narcisus Poeticus, ose “lulja e poetit”, ka mbushur një prej lëndinave të Parkut Natyror Korab Koritnik, në luginën e Novosej në Kukës. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo lëndinë, e cila ofron një peizazh magjik. “Në Kukës, në Novosej, është një ndër lulet më të rralla e tunduese në rajon. Lulja quhet Narcisus Poeticus, ose “lulja e poetit”. Kjo lule rritet 1400 metra mbi nivelin e detit, në njërën prej lëndinave më të bukura të Parkut Natyror Korab Koritnik, në luginën Novosej”, theksoi Majko. Narcissus poeticus njihet edhe si lulja krenare për shkak të formës që ajo mban petalet të kthyera në anën e pasme. Lulja e Poetit ka çelur dhe mirëpret të gjithë vizitorët, të cilët nuk mund të largohen pa marrë edhe një buqetë me vete.