Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka miratuar raportin jopërfundimtar të Listës së Votuesve për procesin e votimit për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Sipas këtij raporti, numri jopërfundimtar i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 46 mijë e 248 votues apo 1 mijë e 153 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune të cilat janë mbajtur më 23 prill 2023, ndërsa numri i përgjithshëm i qendrave të votimit është 44.
Këto i bëri të ditura anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani. Po ashtu,me qëllim të funksionalizimit të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, janë caktuar Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së. Lidhur me këtë, në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për emërimin e rreth 20 anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, por që mund të plotësohet gjatë ditëve në vazhdim. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (2023) KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.