I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është takuar mbrëmjen e të mërkurës me liderët e opozitës kosovare. Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka dhënë detaje nga takimi që tre liderët e opozitës kishin sonte me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në rezidencën e ambasadorit Jeffrey Hovenier. Ai thekson se komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës. “Nisur nga ky qëllim, sonte, në rezidencën e ambasadorit Hovenier zhvilluam një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Bashkë shkëmbyem qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend dhe vizionin për një të ardhme më prosperuese për popullin dhe shtetin tone”, shkruan Krasniqi në Facebook. “Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-të, prandaj, partneriteti ynë është i pa alternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euroatlantik”, shton ai. Në takim përveç kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi, ishin edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së dhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. “Shfrytëzova rastin të falënderoj Escobar për angazhimin e tij përgjatë gjithë kohës në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, njëkohësisht në angazhimin e tij në procesin e dialogut.
Kërkova të ngrihet niveli i marrëdhënieve biletarale Kosovë-SHBA. Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleatin tonë strategjik dhe të përjetshëm, SHBA-të”, shkruan Haradinaj në rrjetet sociale, pas takimit. Escobar ndodhet për vizitë në Kosovë, ku gjatë ditës është takuar me presidenten Vjosa Osmani. Diplomati amerikan ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, derisa nënvizoi se nuk po i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira në kuadër të kësaj ujdie, por edhe Serbisë. Escobar gjatë ditës ka vizituar edhe selinë e KFOR-it në Prishtinë së bashku me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.