Izraeli do të lejohet të konkurrojë në Eurovizionin e këtij viti, pasi ndryshoi tekstin e këngës së tij, konfirmuan organizatorët. Këngëtarja 20-vjeçare izraelite Eden Golan do të përfaqësojë vendin e saj në këtë festival që mbahet në maj. Kënga e saj origjinale e titulluar “Shiu i Tetorit” dyshohet se u referohej sulmeve të Hamasit të 7 tetorit dhe u ndalua për shkeljen e rregullave mbi neutralitetin politik. Transmetuesi publik izraelit KAN pranoi të ndryshojë këngën, që tashmë titullohet “Uragani”. Në një deklaratë, Unioni Evropian i Transmetuesve Publikë, i cili organizon këtë garë muzikore, konfirmoi se kënga zyrtare e paraqitur nga anëtari i saj izraelit u konsiderua e përshtatshme për të konkurruar në Eurovision Song Kontest.
Transmetuesi publik izraelit “KAN” njoftoi më herët se nuk do të ndryshonte tekstin e këngës, por presidenti i vendit Izak Herzog bëri thirrje të bëheshin rregullimet e nevojshme, që do t’i siguronin Izraelit pjesëmarrjen në këtë garë muzikore. Festivali Evropian i Këngës këtë vit zhvillohet nga data 7 deri më 11 maj në qytetin suedez të Malmos. Shqipëria përfaqësohet me artisten Besa Kokëdhima dhe këngën “Zemrën n’dorë”, e cila rezultoi si më e votuara nga publiku në edicionin e 62-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.