Sunday, November 24, 2024
HomeMJEDISAshpërsim i gjobave për bizneset ndotëse të mjedisit

Ashpërsim i gjobave për bizneset ndotëse të mjedisit

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla tha sot se ashpërsimi i masave administrative për bizneset që ndotin ajrin do të rrisë ndërgjegjësimin e tyre për të qenë më të përgjegjshëm sa i takon shkarkimeve apo ndikimeve negative që mund të kenë në mjedisin ku ne jetojmë. Në një prononcim për mediet, Xhembulla theksoi se ndryshimet e propozuara në ligjin “Për Mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis”, kanë kaluar në Kuvend, ku pritet të nisë diskutimi i tyre. Sipas saj, nisma ligjore është ndërmarrë pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve.

“Duke qenë se është rritur numri i subjekteve që ushtrojnë aktivitete industriale dhe pozicioni i tyre në zona specifike ka shkaktuar jo vetëm ndotjen e mjedisit, por edhe uljen e treguesve të cilësisë së ajrit”, nënvizoi Xhembulla. Zv/ministrja Xhembulla u shpreh se “me rritjen e numrit të turistëve dhe krijimin e shërbimeve bazë sa më elitare ne na duhet që të jemi të kujdesshëm edhe në këta tregues. Por, patjetër objektivi primar dhe kryesor është shëndeti i qytetarëve dhe mirëqenia e tyre”. Më tej, Xhembulla tha se disa zona janë më problematike dhe marrja e masave është urgjente.

“Kryesisht janë zona që kanë pak profil industrial dhe kanë profile urbane të pastudiuara dhe në këtë aspekt është parë jo vetëm zona siç është metropoli, Tirana, apo qytete të mëdha, por kemi vënë re edhe në disa qendra të tjera ku industria është më e zhvilluar”, shtoi ajo. Në projektligjin “Për Mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis”, ndryshohet neni 20 që ka të bëjë me kundërvajtjet administrative, me qëllim rritjen e vlerës së gjobës për të gjitha bizneset që nuk respektojnë lejet mjedisore. Në ligjin aktual variojnë nga 300 mijë lekë deri në 2 milionë lekë, kurse në projektligj propozohet që gjoba të variojë nga 390 mijë lekë deri në 2.6 milionë lekë (të reja).

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments