Presidenti ukrainas u prit mbrëmjen e djeshme në aeroport nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Vizita e Presidentit Zelensky parashikohet me disa takime të rëndësishme përveç pjesëmarrjes në samitin e paqes.
Sipas axhendës së publikuar nga Kryeministria, takimet nisin me pritjen zyrtare të Kryeministrit Rama dhe më pas nga një takim kokë më kokë mes tyre në Kryeministri.
Më 09:30 bëhet një takim bilateral mes dy delegacioneve, firmosja e marrëveshjeve më 10:10 dhe më pas palët do t’i drejtohen Pallatit të Kongreseve nga ku në tapetin e kuq do të mbërrijnë në Samitin e organizuar nga Qeveria Shqiptare, 13 udhëheqës të 13 shteteve nga Europa Juglindore.
Pas mbërritjes së liderëve, pjesa e parë e samitit në Pallatin e Kongreseve do të jetë e hapur për mediet, ndërsa më pas Rama dhe Zelenski do të kenë edhe një dalje për mediet.
Kjo është vizita e parë e Presidentit të Ukrainës. Këtë shkurt u bënë dy vjet nga agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë.