Ndër pasuritë arkeologjike në veri të vendit veçohet vendbanimi tarracor i Grunasit në Theth, monument kulture i kategorisë së parë prej vitit 2007. Vendbanimi tarracor prehistorik i Grunasit në Theth u gjurmua për herë të pare nga ekspedita shqiptaro-amerikane drejtuar nga M.Galaty, Ols Lafe në vitin 2005. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 2 hektarësh ku ruhen porta hyrëse dhe një seri strukturash murale në formë tarracimi ndërtuar në të thatë në stilin primitiv. Hyrja për në vendbanim ka një gjerësi 3.40 me ndërtuar me gurë ciklopik në të thatë.
Gurët kanë gjerësi që variojnë nga 1 deri në 1.45 m. Ngjitur me hyrjen ruhen gjurmët e një banese deri në lartësinë 1.40 m. Gjatë gërmimeve arkeologjike në këtë vendbanim u zbuluan kulturë materiale e mjaftueshme, kryesisht fragmente enësh balte duke ndihmuar në datimin e tij, shek VIII pr.erës sonë. Këto ndërtime ngritur mbi platforma tarracore në një territor kaq të thellë të luginës së Shalës, janë tregues për një aktivitet të dendur bujqësor e blegtoral të njeriut dhe trashumances që në periudhat parahistorike.