Ura e Kasabashit është një vepër inxhinierike që mban statusin “Monument Kulture”, Kategoria I. Ura gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit. Ajo futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese. DRTK Berat kujton se, dikur nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh.
Kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës (Kasabash-mjeshtër Kaso-Kasëmi). Qemeri qëndror, i cili ka një vëllim më të madh, paraqitet me nje konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 m, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysmë rrethore. Ura e Kasabashit është ndërtuar mbi një degë të lumit Osum. Ajo ndodhet rreth 1 km larg qytetit të Çorovodës, në veri të tij. Specialistët mendojnë se është ndërtuar rreth shekullit XVI – XVII.