DRTK Berat, përmes një fotoje, sjell në vëmendje një prej objekteve më të veçantë, të trashëgimisë kulturore, që gjenden në Kalanë e Beratit. “Çdo rrugicë në Kalanë e Beratit na drejton në një monument për t’u vizituar. Një prej tyre, rrënoja e Xhamisë së Kuqe”, shkruan DRTK Berat, në rrjetet sociale. Në ditët e sotme Xhamia e Kuqe ruhet në formë rrënoje pranë rrethimit jugor të kalasë së Beratit. Muret janë shembur e vetëm pak kanë mbetur mbi tokë, ndërsa minarja qëndron ende në këmbë nga teknika më e fortifikuar e ndërtimit dhe materiali i punimit të saj është në ngjyrë të kuqe nga ka marrë edhe emrin. Minarja ruhet më tepër dhe i shton vlerat këtij monumenti, ajo është e ndërtuar me teknikën e klausonazhit dy rreshta horizontale tullash e dy vertikale me fuga të përpunuara pastër.
Nga kazani ruhet vetëm një pjesë e fundit të tij me tulla të vendosura në formë dhëmbëshare. Xhamia e Kuqe mendohet se është një nga të parat xhami që u ndërtuan në Shqipëri. Për identifikimin dhe datimin e këtij objekti ka ndihmuar në radhë të parë përshkrimi i Evlija Çelebiut, gjatë vizitës së tij të dytë në Berat, më 1671. Sipas tij, në kalanë e Beratit ai ka parë dy faltore islame. Në kalanë e qytetit janë rrënojat e dy xhamive të quajtura njëra “e kuqe”, mesa duket prej përdorimit me shumicë në muret e saj të tullave me të njëjtën ngjyrë dhe tjetra “e bardhë”, e ndërtuar krejt me gurë të gdhendur gëlqerorë.