Në tregun e këmbimit valutor vendas, në javën e parë të muajit shkurt, valutat e huaja kanë fituar terren kundrej monedhës shqiptare. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet aktualisht me 104.27 lekë duke pasur një tendencë në forcim nga dita në ditë. Krahasuar me fillim javën rezulton se euro ka fituar rreth dy pikë. Por pavarësisht kësaj duket se kursi i këmbimit euro-lek është stabilizuar dhe luhatjet janë në nivele minimale. Por krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dobësimi i euros është i konsideruesshëm, pasi monedha europiane ka humbur 12 pikë. Në të njëjtën periudhë të viti të kaluar monedha europiane këmbehej me 116.1 lekë.
Gjatë këtij viti Banka e Shqipërisë ka parashikuar që të tërheqë nga tregu rreth 330 milionë euro përgjatë gjithë vitit për efekt të rezervës valutore, por edhe për të stabilizuar kursin e këmbimit. Ankandi i parë për tërheqjen e rreth 10 milionë eurove parashikohet që të realizohet këtë javë. Një forcim ndaj lekut shqiptar ka fituar edhe monedha amerikane. Në bazë të kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë dollari po këmbehet aktualisht me 97 lekë. Banka e Shqipërisë e vlerëson këtë nivel të ri të krijuar në kursin e këmbimit midis lekut dhe valutave të huaja si një mekanizëm të rëndësishëm për të mbajtur në kontroll rritjen e çmimeve.