Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALELehtësohen kriteret për investitorët e hoteleve me 4 ose 5 yje

Lehtësohen kriteret për investitorët e hoteleve me 4 ose 5 yje

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime të vendimit për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe të dokumentacionit për subjektet që aplikojnë për statusin “investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”. Sipas vendimit kriteret që duhet të plotësojë aplikuesi janë: të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, e cila ndodhet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi; ka vlerën e investimit, jo më të vogël se 8 000 000 (tetë) milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje; menaxhohet nga një operator menaxhues, i regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet kompetente të vendeve ku ato ndodhen, i lidhur me aplikuesin me një marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit.

Po ashtu aplikuesi duhet të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme; të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për veprat penale të parashikuara në nenin 6, të ligjit nr. 93/2015 “Për turizmin”, të ndryshuar; të ketë përmbushur detyrimet për pagimin e taksave dhe tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës. Në rast se aplikuesi është një SPV ose “Bashkim operatorësh ose konsorciumi”, kriteret e kualifikimit plotësohen nga kompania mëmë/ secili entitet, sipas marrëveshjes së posaçme të lidhur. Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” ka të drejtë që të aplikojë për të përfituar njërin nga këta dy statuse. Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim, nëpërmjet të cilave vërtetohet plotësimi i kritereve të përcaktuara në këtë vendim.

Dokumentacioni i aplikimit depozitohet nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”. Dokumentet që disponohen në gjuhë të huaj duhet të paraqiten të shoqëruara me përkthimin në gjuhën shqipe të noterizuar. Dokumentacioni i paraqitur duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar e tij dhe çdo dokument duhet të përmbajë nënshkrimin e personit/personave të autorizuar që paraqesin aplikimin. Aplikimi së bashku me dokumentacionin e kërkuar dorëzohet nga aplikuesit nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”. Shqyrtimi i aplikimit bëhet nga komisioni, bazuar në kriteret e kualifikimit të përcaktuara në këtë vendim dhe në dokumentacionin, pjesë përbërëse e këtij vendimi. Po kështu ndryshim ka dhe tek garancia e sigurimit të marrëveshjes që duhet të depozitojë investitori për institucionet shtetërore në rastet e shkeljes. Me vendimin e sotëm sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon: Për hotelet me 4 yje për vlerën 240 mijë euro (3 % e vlerës dysheme) për hotelet me 4 yje prej 8 milionë eurosh dhe për hotelet me 5 yje për vlerën 450 mijë euro (3 % e vlerës dysheme për hotelet me 5 yje prej 15 milionë eurosh). Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments