Monday, October 21, 2024
HomeMJEDIS”Politiken”: Shqipëria -Maldivet e lira të Evropës

”Politiken”: Shqipëria -Maldivet e lira të Evropës

E përditshmja daneze dhe një nga gazetat më të lexuara në vend “Politiken” i ka kushtuar një hapësirë të posaçme Shqipërisë turistike. Shkrimi i gazetares Clara Underdahl mban titullin ‘’Quhet Maldivet e Evropës dhe për më tepër është e lirë. Këtu janë gjashtë arsye të mira përse udhëtimi juaj i ardhshëm duhet të jetë në Shqipëri’’ shtjellon gjerësisht përvojën e saj vetjake të eksplorimit katërjavësh turistik në vendin tonë. Me një përshkrim shumë pozitiv të hapësirave që ka vizituar dhe njerëzve që ka ndeshur nëpër itinerarin e saj, Underdahl thekson faktin se Shqipëria është shndërruar në një destinacion jashtëzakonisht popullor udhëtimi, çka pasqyrohet në mbulimin e gjerë mediatik ndërkombëtar. Ndër gjashtë arsyet kryesore të renditura, që sipas gazetares janë mjaftueshëm të mira për të ndërruar Liqenin e Komos me këtë destinacion në Gadishullin Ballkanik, spikasin historia e pasur e vendit tonë, trashëgimia natyrore dhe mikpritja e shqiptarëve. Lidhur me këtë të fundit, autorja e cilëson mikpritjen e popullit shqiptar të një lloji krejt unik. ‘’Vendasit të presin krahëhapur dhe me me buzëqeshje të sinqerta…‘’, vëzhgon ajo, ndër të tjera. Shkrimi ndalet edhe te pasuria jonë kulinare, si edhe tërheq vëmendjen mbi çmimet e lira që e bëjnë edhe më të pëlqyeshme eksperiencën e turistëve dhe vizitorëve. Quhet Maldivet e Evropës dhe është gjithashtu i lirë. Ja gjashtë arsye të mira për të shkuar Në vetëm pak vite, Shqipëria është shndërruar nga një vend kryseisht i mbyllur në Evropë në një destinacion jashtëzakonisht popullor udhëtimi. Ja gjashtë arsye të mira pse duhet ta konsideroni Shqipërinë për udhëtimin tuaj të ardhshëm. Verën e kaluar, disa miq më thanë se donin të hiqnin dorë nga destinacionet e zakonshme të udhëtimit si Italia dhe Franca dhe në vend të tyre të shkonin në Evropën Juglindore. Ata përmendën Shqipërinë dhe unë mendova “epo, ky është një destinacion i pazakontë. Nuk dija shumë për vendin – përveç historisë së tij të komunizmit dhe të izolimit, çka nuk më shkaktoi ndonjë dëshirë të madhe për të udhëtuar. Por, dy javë më vonë, më erdhën fotot dhe videot e para nga udhëtimi i tyre. Isha e befasuar, por më së shumti ziliqare. Fotot e plazheve të gjata me rërë, maleve të larta dhe perëndimit të diellit të nxehtë më bënë të mendoj se a duhet të shkoj në Shqipëri?

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments