Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, deklaroi se vendi i tij do të shqyrtojë njohjen e shtetit të Palestinës. Sipas lajmeve në mediat e vendit, Cameron ka folur për çështjen izraelito-palestineze në pritjen e organizuar nga Këshilli i Lindjes së Mesme të Partisë Konservatore mbrëmë në Londër, ku morën pjesë edhe ambasadorët e vendeve arabe. Për të promovuar paqen në Lindjen e Mesme, Cameron tha se ”palestinezët duhet të kenë horizontin politik për të parë përparim të pakthyeshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete”. Duke thënë se vendi i tij ka përgjegjësi të zbulojë se si do të dukej një shtet palestinez, Cameron theksoi se ata duhet të fillojnë të përcaktojnë se nga çka do të përbëhet ky shtet dhe si do të funksionojë. “Sapo të ndodhë kjo, ne do të diskutojmë njohjen e një shteti palestinez me aleatët tanë, duke përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB). Kjo mund të jetë një nga gjërat që do të ndihmojë që ky proces të bëhet i pakthyeshëm”, tha Cameron. Sekretari britanik i bëri thirrje gjithashtu Izraelit të lejojë më shumë ndihma humanitare në Gaza dhe tha se ishte “qesharake” mos lejimi i hyrjes së ndihmës humanitare.