Buzë detit Adriatik, vetëm pak kilometra larg qytetit të Durrësit, Sektori Rinia është një destinacion që po lakmohet shumë nga pushues vendas dhe turistët e huaj, për bukuritë natyrore dhe peizazhin e mrekullueshëm që ofron. Plazhi në Sektori Rinia është mjaft i preferuar për shkak të pozicionit shumë të mirë gjeografik, ujit të pastër, brezit të gjerë të rërës, kurorës së gjelbër të pyllit me pisha. Vit pas viti numri i pushuesve këtu sa vjen e shtohet. Ky plazh shtrihet rreth 11 km në veri të qytetit të Durrësit dhe përgjithësisht njihet si plazhi i sektorit Rinia. Rëra, deti, kurora e gjelbër në hyrje të plazhit, lokalet e ndërtuara të gjitha në dru, po bëhen gjithnjë e më të lakmueshme për pushuesit, teksa kjo zonë frekuentohet nga vizitorët edhe në dimër.