Niveli i vuajtjeve në mesin e palestinezëve që jetojnë në Gaza, objektivi i hakmarrjes ushtarake izraelite kundër Hamasit, i cili ka vazhduar për gati 4 muaj, tashmë është i “paimagjinueshëm”, tha ministri britanik i Jashtëm, David Cameron. Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi në kuadër të misionit të ri në Lindjen e Mesme per një paketë tjetër të ndihmës humanitare të koordinuar së bashku nga Britania e Madhe dhe Katari për popullsinë e Rripit të Gazës. Cameron theksoi se ai i kishte kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në një takim ballë për ballë që të lejonte hyrjen e kamionëve të tjerë me ndihma në Gaza dhe hapjen e më shumë vendkalimeve. Kreu i diplomacisë britanike gjithashtu bëri thirrje për një pauzë të menjëhershme humanitare për të lejuar ndihmën dhe largimin e pengjeve, e ndjekur nga një armëpushim i qëndrueshëm, pa rifillim të mëtejshëm të armiqësive.