Shpëtohet ariu i murrmë, ngeci në kurth në zonën e Mokrës

0
6

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehu sot mirënjohjen për Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Korçë, Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri PPNEA dhe organizatën mjedisore greke Callisto Greece, për shpëtimin e ariut të murrmë (Ursus arctos) të ngecur në një kurth në zonën e Mokrës, në Pogradec. Kumbaro tha se “dënim maksimal për gjuetinë e paligjshme me besimin te Policia e Shtetit, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje që cënon moratoriumin e vendosur pikërisht për të mbrojtur kafshët e egra”. “Pas vendosjes së GPS me qëllim monitorimin e vazhdueshëm, tani ariu është sërish i lirë të lëvizë në habitatin e tij”, tha Kumbaro. Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Korçë ka shkuar menjëherë në vendngjarje dy ditë më parë, të sinjalizuar nga një banor në fshatin Çezme në zonën e Mokrës, në Pogradec, mbi një Ari të murrmë (Ursus arctos) të ngecur në një kurth. AdZM Korçë mori të gjitha masat e nevojshme për t’i ardhur në ndihmë. U njoftuan gjithashtu profesionistë të specializuar për raste të kësaj natyre. AdZM Korçë së bashku me Policinë e Shtetit, specialistë nga PPNEA dhe Callisto Grece bënë të mundur lirimin e ariut, si dhe vendosjen e një GPS në trupin e tij për të monitoruar lëvizjet edhe në ditët në vijim. Ariu i murrmë (Ursus arctos) gëzon mbrojtje në nivel kombëtar e ndërkombëtar, duke u renditur në Aneksin II të Konventës së Bernës dhe në Direktivën Evropiane të Habitateve.