Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBSH: Stoku i borxhit të jashtëm vlerësohet në nivelin 52.4% të PBB

BSH: Stoku i borxhit të jashtëm vlerësohet në nivelin 52.4% të PBB

Stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë vlerësohet në nivelin 52.4 % të PBB-së në fund të gjysmës së parë të vitit 2023. Ky raport është rreth 7.9 pikë përqindjeje më i ulët krahasuar me një vit më parë, thekson Banka e Shqipërisë në statistikat e publikuara sot mbi borxhin e jashtëm. Sipas BSH-së, rënia e tij pasqyron efektin nga rritja e PBB-së. Në ndarjen sipas maturitetit, borxhi afatgjatë përbën rreth 90.8 % të totalit, ndërsa borxhi afatshkurtër rreth 9.2 %. Borxhi i jashtëm neto në raport me PBB-në vlerësohet në 4.7 %, me një pakësim prej 5.3 pikë përqindjeje. Banka e Shqipërisë në analizën e saj, vlerëson se, treguesit e aftësisë ripaguese afatgjatë të borxhit të jashtëm kanë vazhduar të përmirësohen edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2023. “Rritja e eksporteve dhe të ardhurave fiskale ka qenë faktori kryesor në këtë ecuri”, thekson BSH-ja. Kështu, raporti ndërmjet borxhit të jashtëm bruto dhe eksportit vjetor të mallrave dhe shërbimeve vlerësohet në 115.1 %, nga niveli 136.8 % një vit më parë. Gjithashtu, raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave fiskale u pakësua në 183.0 % nga 213.9 % një vit më parë. Ndërsa raporti i stokut të borxhit të qeverisë së përgjithshme ndaj të ardhurave fiskale u ul në 91.7 % nga 105.2 % një vit më parë. Edhe treguesit e mjaftueshmërisë së likuiditetit shfaqin tendenca përmirësuese. Banka e Shqipërisë thekson se, stoku i rezervës valutore mbulon 333.8 % të borxhit të jashtëm afatshkurtër në fund të tremujorit të dytë 2023, duke dëshmuar për mjaftueshmëri në përballimin e detyrimeve afatshkurtra.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments