Një reaktor i ri bërthamor në Korenë e Veriut duket se është bërë funksional, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), ndërsa Pheniani rrit kërcënimet e tij për të përdorur armë bërthamore kundër SHBA dhe aleatëve të saj. I vendosur rreth 100 kilometra në veri të Phenianit, kompleksi ”Yongbyon’ tashmë strehon reaktorin e parë bërthamor të vendit, me një kapacitet prej 5 mW. ”Që nga mesi i tetorit, është vërejtur një rrjedhje e fortë e ujit nga sistemi i ftohjes së një reaktor të ujit të lehtë (LWR)”, tha në një deklaratë drejtori i përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi. “Vëzhgimet më të fundit tregojnë se uji i lëshuar është i nxehtë, gjë që është në përputhje me vënien në punë të një reaktori”, vuri në dukje ai. ”Megjithatë, një proces i tillë kërkon kohë dhe pa akses në objekt, IAEA nuk mund të konfirmojë saktësisht statusin e saj operacional”, shtoi Grossi. “Ashtu si çdo reaktor tjetër bërthamor, një LWR mund të prodhojë plutonium me karburantin e tij të shpenzuar, i cili mund të ndahet gjatë ripërpunimit, kështu që ky është një burim shqetësimi”, paralajmëroi ai. Që kur inspektorët e saj u dëbuan nga Koreja e Veriut në vitin 2009, IAEA është kufizuar në monitorimin e zhvillimeve bërthamore në vend me imazhe satelitore. Koreja e Veriut kreu testin e saj të parë bërthamor në vitin 2006. I gjashti dhe i fundit i saj deri më sot, në 2017, ishte gjithashtu më i fuqishmi i saj. Vëzhguesit kanë ngritur shqetësime në rritje prej muajsh në lidhje me përgatitjen e mundshme të një testi të ri bërthamor të Koresë së Veriut. Në fillim të këtij viti, udhëheqësi i vendit Kim Jong Un bëri thirrje për rritjen e prodhimit të “materialit bërthamor ushtarak” në mënyrë që të rritet “në mënyrë eksponenciale” prodhimi i armëve atomike. ”Koreja e Veriut nuk do të hezitojë të përgjigjet me armë atomike nëse provokohet nga armët bërthamore”, kërcënoi Kim Jong Un këtë javë.