Për herë të parë është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) dhe bashkisë Shkodër. Zëvendëskryetari i bashkisë, Rudin Beka dhe prof. Diana Kastrati, drejtuese e QSPA, kanë nënshkruar këtë marrveshje, në mjediset e sallës së Këshillit Bashkiak Shkodër, në prani të një grupi artistik arbëreshësh që udhëtuan enkas drejt Shkodës, si dhe të studiuesve e personaliteteve kulturore në qytet. Kjo vizitë është organizuar në kuadër të Ditës së Diasporës, në kuadër të të cilës, arbëreshët e nisur nga disa komuna të Kalabrisë, mbërritën në Shkodër. Prof. Kastrati në emër të qendrës, shprehu mirënjohjen për administratën dhe kryetarin e bashkisë, Benet Beci, i cili mori këtë nismë, si dhe pasi bëri një përmbledhje të punës kërkimore dhe aktiviteteve të QSPA-së, u shpreh se: “QSPA ka nënshkruar rreth 23 marrëveshje me institucione të ndryshme, kryesisht me institucione kërkimore dhe ky nënshkrim me bashkinë Shkodër është e një rëndësie të veçantë, pasi hap serinë e bashkëpunimeve me bashkitë në rang vendi.” Drejtuesja e QSPA, theksoi se, kjo marrëveshje merr një vlerë të veçantë në qytetin e Shkodrës pasi arbëreshët kanë qenë në fokus të një plejade të tërë studiuesish të shquar me prejardhje nga ky qytet. Kujtojmë se njëri prej tyre ka qenë edhe albanologu i ndjerë, Jup Kastrati, një figurë e shquar që dha shumë për albanologjinë dhe arbëreshët në veçanti.