Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARENënshkruhet ligji, Teksasi mund edhe t’i arrestojë migrantët e paligjshëm

Nënshkruhet ligji, Teksasi mund edhe t’i arrestojë migrantët e paligjshëm

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott nënshkroi një ligj, që paraqet një nga politikat më të ashpra të imigracionit në SHBA, sipas të cilit shtetit i lejohet të arrestojë emigrantët e paligjshëm që kalojnë kufirin jugor. Duke filluar në marsi 2024, sipas projektligjit katër të Senatit (SB4), hyrja ilegale në Teksas nga një vend i huaj përbën vepër penale. Masa e re do të lejojë policinë e shtetit të arrestojë emigrantët e paligjshëm ndërsa përsëritësit e shkeljes mund të përballen me dënim të mundshëm deri në 20 vjet burg. “Qëllimi i projektligjit 4 të Senatit është të ndalojë valën e hyrjeve ilegale në Teksas”, tha Abbott në një konferencë për media. “Ligji parashikon mekanizëm që do të urdhërojë emigrantët e paligjshëm të kthehen në vendin e huaj nga kanë hyrë”, tha ai. Abbott përmendi valën e imigracionit të paligjshëm që ka vërshuar kufirin SHBA-Meksikë gjatë disa viteve të fundit ndërsa Teksasi ka vuajtur shumicën e fluksit. “Dy vjet më parë, pati numër rekord të imigrantëve të paligjshëm që kapëm, më shumë se 2.3 milionë. Ky numër është më i madh se banorët e Houstonit në Teksas”, tha Abbott duke shtuar se “më pas vitin e kaluar më shumë se 2.4 milionë njerëz u kapën duke kaluar kufirin ilegalisht”. “Në total që kur Joe Biden u bë president, kur numëroni të arrestuarit dhe ata që dihet se janë arratisur, rezulton se rreth 8 milionë njerëz kalojnë kufirin ilegalisht”, thotë guvernatori i Teksasit. Abbott miratoi buxhetin prej 1.54 miliard dollarë shtesë ndihmë shtetërore për të ndërtuar më shumë mure dhe barriera kufitare dhe për të rritur operacionet e sigurisë kufitare dhe praninë e forcave të rendit. Ai shtoi se Teksasi ka përfunduar tashmë më shumë se 25.7 kilometra të murit kufitar dhe aktualisht ka më shumë se 53 kilometra në ndërtim. Shteti ka instaluar më shumë se 177 kilometra gardh me tela gjembor në kufirin me Meksikën. Përveç kësaj, Abbott nënshkroi një ligj të ri për të goditur trafikantët e qenieve njerëzore dhe shtëpitë e fshehura ku strehohen emigrantët e paligjshëm. Kjo masë parashikon dënim minimal të detyrueshëm me 10 vjet burg për trafikimin e emigrantëve të paligjshëm përtej kufirit dhe një dënim minimal prej 5 vitesh burg për operimin e një shtëpie të fshehtë. “Teksasi po bën pjesën e saj për të forcuar dhe po përpiqet të sigurojë një kufi të cilin e hapi Joe Biden. Mosveprimi i qëllimshëm i Bidenit e ka lënë Teksasin të përballet vetë”, tha Abbott.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments