Festivali “Pianodrom” 

0
2

Festivali Ndërkombëtar “Pianodrom” dhuroi gjatë fundjavës dy koncerte që morën duartrokitjet e publikut si për përmbajtjen e pjesëve në program ashtu edhe për virtuozitetin e artistëve që i performuan ato. Të shtunën e 16 dhjetorit publiku mbushi sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit për koncertin e Pianodrom me pianisten Rudina Ciko dhe klarinetistin Fatos Qerimaj. Tingujt shqiptarë sollën para publikut 5 personalitete të periudhave të ndryshme kohore të kompozicionit shqiptar, Zoraqi, Guraziu, Ibrahimi, Bejo, Peçi. Finalja e koncertit dhuroi spektakël të vërtetë ndërsa Fatos Qerimaj dhe Rudina Ciko interpretuan sonatën 2 për klarinet e piano premierë botërore nga kompozitori Aleksandër Peçi. Të dielën e 17 dhjetorit, përsëri pati një mbrëmje e bukur muzikore me plot emocion me koncertin recital të pianistes Rejsi Prosi në kuadër të Festivalit Pianodrom. Kultura e rafinuar pianistike austriake, ku ajo vijon studimet, talenti dhe intelekti u pasqyryan në lojën e saj me nje unifikim krejt të natyrshëm e bërë njësh me ndjeshmërinë artistike të shpirtit të saj poetik. Programi përfshiu vepra të shtrira në tre shekuj XVII, XIX dhe XXI. Në mbyllje të programit Rejsi Prosi interpretoi ,Sonatë nr 21, A. Peçi, premierë botërore, titulluar “Nklaj me Ujvara lotësh”.I frymëzuar nga eksodi tragjik i popullsisë Çame në vitin 1945 nga shovinizmi grek, kompozitori në këtë vepër sjell me nota dhimbjeje atmosferën e rënduar dhe gjëndjen e shqetësuar të situatës së krijuar, por dhe revoltën herë shpërthyese e herë të përmbajtur. E strukturuar në tre kohë, kritikët e konsiderojnë veprën më të mirë të Peçit në këtë gjini. “Pianodrom” vjen për publikun me aktivitete të shtrira në disa data për të mbledhur sa më shume dashamirës të muzikës dhe për të qenë edhe pjesë e atmosferës së festave. Festivali vijon me koncerte më 22, 26 dhe 27 dhjetor. Pianodrom vlerësohet si pol i kulturës dhe festivali më i madh në Shqipëri i modernizimit të kompozicionit shqiptar.