Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, nënshkroi sot, Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunim me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare “St. Clement of Ohrid” të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rahmetula Kuqi. Ky memorandum synon bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët në aspektin e kërkimit akademik dhe të përhapjes kulturore, bashkëpunimit shkencor në fushën e bibliotekonomisë, kërkimit shkencor dhe fushave të lidhura me to, si: bibliografisë, informacionit shkencor, koleksioneve të rralla etj. Në kuadër të këtij memorandum, do të organizohen veprimtari të përbashkëta kulturore e shkencore, si: konferenca, ekspozita, botime të përbashkëta, shkëmbime e dhurime botimesh etj. Të dy drejtuesit e Bibliotekave Kombëtare e cilësuan si “shumë të rëndësishëm nënshkrimin e këtij Memorandumi, që hap udhën e bashkëpunimit të ngushtë dypalësh”.