Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje dëbore në disa akse në juglindje dhe veri të vendit. Sipas ARRSH-së akset e përfshira nga dëbora janë Bilisht-Kapshticë, Qafë Qarri-Ersekë, në Dardhë, në Voskopojë, Zëmblak-Dogana Goricë, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Kukës dhe në Valbonë. Temperaturat kanë qenë në vlera negative deri në -3 gradë celcius. ARRSH informoi se “mjetet borëpastruese kanë punuar për pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës pa ndërprerje. Qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset nacionale”. Gjithashtu ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet e mësipërme që janë me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.