Kontrollet fikse të Gjermanisë në kufijtë me Poloninë, Republikën Çeke dhe Zvicrën, të cilat u urdhëruan fillimisht në mes të tetorit, do të vazhdojnë të paktën deri më 15 mars. Ministria e Brendshme gjermane njoftoi sot se kontrollet do të vazhdojnë për të luftuar në mënyrë efektive kontrabandën dhe për të kufizuar migrimin e parregullt. Ministria ka njoftuar gjithashtu Komisionin Evropian. “Masat tona po funksionojnë”, tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser. Falë kontrolleve të përkohshme kufitare dhe masave të koordinuara ngushtë me vendet fqinje, numri i hyrjeve të paautorizuara në të gjithë Gjermaninë ka rënë me më shumë se 60% (nga mbi 20 000 në tetor në rreth 7 300 në nëntor). Faeser ka zgjatur disa herë kontrollet kufitare për periudha më të shkurtra kohore që nga prezantimi i tyre më 16 tetor. Kontrollet fikse të kufirit të brendshëm në kufirin gjermano-austriak, të cilat filluan në vjeshtën e vitit 2015, tani do të zgjasin deri më 11 maj. Kontrollet kufitare nuk janë të zakonshme brenda zonës së udhëtimit pa viza Shengen dhe duhet të raportohen në Bruksel. Nëse janë vetëm disa ditë, kjo mund të bëhet me një periudhë të shkurtër njoftimi. Por çdo afat i zgjatur më shumë se dy muaj, siç është rasti i Gjermanisë kërkon një njoftim nga Brukseli.
Gjermania zgjat me tre muaj kontrollet fikse kufitare
RELATED ARTICLES