Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREMinistrat e BE, kërkojnë zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi

Ministrat e BE, kërkojnë zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi

Bashkimi Evropian pritet t’u kërkojë Kosovës dhe Serbisë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër, ndërsa synon ta shndërrojë atë në pjesë të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve. Në përfundimet e miratuara nga ministrat për çështje evropiane të vendeve të BE-së, për të cilat më vonë gjatë javës do të diskutohet në takimin e Këshillit Evropian, kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe përfshirja e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit në kuadrin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në bllok. Këshilli, thuhet në projekt përfundime, “është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, duke përfshirë sigurinë. Disa veprime të njëanshme të Kosovës dhe Serbisë, si dhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri kanë rritur edhe më tej tensionet. Këshilli dënon ashpër aktet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave më 29 maj 2023”, thuhet mes tjerash në projekt përfundime në të cilat theksohet se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë pa parakushte. Po ashtu thuhet aty, serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucionet që i kanë braktisur dhe ky kthim duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia. Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës pas tensioneve të muajit maj duke kërkuar hapa për uljen e tensioneve. Në projekt përfundime thuhet se blloku është i gatshëm t’i heqë masat ndëshkuese nëse “në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave” për shtensionim, duke vlerësuar disa nga hapat e hedhur nga qeveria e Kosovës e cila uli praninë e forcave policore në komunat veriore dhe miratoi bazën ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments