Papavrami dhe Maki Okada, së shpejti koncert në Tiranë

0
0

Harabel Contemporary Art Center do të sjellë së shpejti në Tiranë violinistin e mirënjohur Tedi Papavrami në një koncert në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit. Kësaj here violinisti Papavrami kthehet në vendlindje për të interpretuar përkah bashkëshortes së tij, pianistes japoneze, Maki Okada. Në pjesën e parë të koncertit të datës 14 dhjetor, do të interpretohet nga Debussy, sonatë për violinë e piano në Sol minor si dhe nga Faure, sonatë për violinë e piano në La mazhor. Në pjesën e dytë partnerët në skenë e në jetë do të sjellin dy sonata të tjera nga Schumann dhe Brahms. Tedi Papavrami u konsiderua një “enfant prodige” që në vegjëli sa i përket aftësive interpretative. Në shtator 1982,qeveria franceze i ofroi një bursë studimi në Francë ku studioi pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fitoi konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 mori diplomën e Konservatorit të Losanës. Ka fituar vazhdimisht çmime si dhe ka interpretuar me orkestra prestigjioze nga vende të ndryshme të botës. Ndërsa Maki Okada ka përfunduar studimet në Toho Gakuen School of Music në Tokio e më pas në Francë. Lidhjet e krijuara gjatë kësaj kohe me Francën dhe Evropën shënuan zhvillimin e saj muzikor, tashmë në repertorin për violinë dhe piano ku fokusohet me bashkeshortin Tedi Papavrami. Së bashku në vitin 2018, ata morën çmimin “Barocsaal” në Kioto, për koncertin më të mirë të sezonit.