Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEKonkursi Ndërkombëtar për qendrën multifunksionale në Vjosë

Konkursi Ndërkombëtar për qendrën multifunksionale në Vjosë

Vjosa do të ketë së shpejti edhe odën e saj të mikpritjes së vizitorëve. Kështu theksoi sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale. Kumbaro bëri të ditur se “nesër finalizojmë Konkursin Ndërkombëtar të Dizajnit për krijimin e një “Qendre Multifunksionale dhe Stacioneve të Informacionit” të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”. “Studiot arkitekturore që kanë arritur deri në fazën finale konkurrojnë me projektet e tyre dhe i takon jurisë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe ekspertëve shumë të mirë shqiptarë e ndërkombëtarë, t’u dhurojë gjithë mysafirëve që do të vizitojnë parkun, një guidë të plotë për atë ç’ka gjejnë në Vjosë brenda kornizës së artit të mikpritjes shqiptare”, tha Kumbaro. Projekti për Qendrën Multifunksionale në Vjosë cilësohet i një rëndësie të veçantë pas shpalljes së këtij rajoni si një Park Kombëtar. Qendra Multifunksionale do të shërbejë si një portë e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, ku vizitorët do të nisin udhëtimin dhe marrin informacione për vlerat natyrore dhe kulturore të parkut, në zemër të ekosistemeve natyrore, por edhe të habitatit njerëzor. Konkursi Ndërkombëtar i Dizajnit synon të bashkojë studiot më inovative dhe kreative të dizajnit nga të gjitha anët e globit. Ai ofron një platformë unike për studiot për të shfaqur talentin e tyre, për të fituar njohje ndërkombëtare dhe për t’u lidhur me liderët e industrisë. “Ne jemi në kërkim të zgjidhjeve arkitekturore në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin, propozime që do të shërbejnë si katalizatorë për rëndësinë kombëtare të kësaj zone. Konceptet duhet të bazohen në parimet e krijuara duke identifikuar karakteristikat natyrore, trashëgiminë, vlerat kulturore, historike dhe arkeologjike të zonës, si dhe në përvojat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në mesazhin që shoqëroi shpalljen e këtij konkursi. Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”. Më 13 mars të këtij viti, lumi i Vjosës, i fundit i egër në Evropë, u shpall nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments