Sipas projeksioneve të qeverisë në relacionin e projektbuxhetit 2024, gjatë tre viteve të ardhshme rezerva valutore pritet të rritet me më shumë se 25% dhe të arrijë në pothuajse 7.2 miliardë euro. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të 9-mujorit 2023 rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 5.73 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore është rritur me 13.3%, ose 671 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të euroizimit të sektorit financiar në vend. Gjithashtu, rezerva valutore mund të shërbejë si instrument për të mbështetur me likuiditet në valutë sektorin financiar apo për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valutor. Rezerva valutore e vendit administrohet nga Banka e Shqipërisë dhe në pjesën më të madhe mbahet në tituj borxhi dhe në depozita. Në fund të muajit shtator, titujt e borxhit përbënin më shumë se 75% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 17% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Banka e Shqipërisë organizon rregullisht ankande për blerje valute, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Këtë vit, Banka e Shqipërisë ka planifikuar blerje në tregun e brendshëm valutor në një interval midis 220 milionë euro dhe 300 milionë euro.
BSH: Rezerva valutore do të arrijë në 7 miliardë euro deri në vitin 2026
RELATED ARTICLES