Në kuadër të Javës Evropiane për Zvogëlimin e Mbetjeve, stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier së bashku me Projektin JICA dhe Grupin Junior Rangers zhvilluan aktivitet ndërgjegjësues mjedisor. Fillimisht Grupi Junior Rangers u mblodh pranë zyrave dhe u shpjegua mbi Javën Evropiane për Reduktimin e Mbetjeve dhe më pas u zhvillua aktivitet pastrimi i mbeturinave te Kanali i Vahut pranë Lagunës së Karavastasë. Në përfundim u zhvillua vëzhgimi i shpendëve në Lagunën e Karavastasë. Java Evropiane për Reduktimin e Mbetjeve është një iniciativë që promovon zbatimin e veprimeve ndërgjegjësuese për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve dhe mbetjeve gjatë një jave të vetme. Ndotja përmes mbeturinave është një ndikim njerëzor në mjedis dhe mbetet një problem serioz mjedisor në shumë vende.