Qytetarët shkodranë tregojnë se era e rëndë është e pranishme kur kalon aty, teksa shprehin si shqetësim edhe dëmtimin e resurseve peshkore nga të tilla fenomene. “Është shume shqetësuese nga të gjitha anët edhe për njerëzit dhe për peshkimin”, tha një qytetar. Biologia njëherësh ambjentalistja Aurora Piroviç thotë se shkarkimi u ujërave të zeza të qytetit përveçse është duke dëmtuar ekosistemin po ndikon në zhdukjen e florës dhe faunës në liqen. Sipas saj është e nevojshme në mënyrë urgjente ngritja një impianti për përpunimin e ujërave të zeza, ku sipas saj nëse nuk merren masa atëherë do të përballemi më pasoja të rënda ekologjike . “Të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza një premtim i cili është përfolur që në vitin 2012 kur është bërë dhe një studim. Është shumë i nevojshëm”, tha biologia Aurora Pirovic. Ujërat e zeza të qytetit shkarkohen vetëm pak metra larg urës së vjetër të Bunës duke ndotur gjithë bregun e fshatrave të Nënshkodrës, që shtrihen në të dy anët e lumit, në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash. Kjo ndotje ndikon direkt edhe në largimin apo dëmtimin e resurseve peshkore.